Shkëndija, një skuadër që tashmë u shndërrua në zjarr për kundërshtarët

Ajo që para disa viteve ishte vetëm një shkëndijë, tashmë lirisht mund të themi se është shndërruar në “zjarr” për kundërshtarët e saj.

Shqiptarët e Maqedonisë janë gjithnjë e më shumë protagonistë në arenën ndërkombëtare falë Shkëndijës, skuadrës qe mesa duket përfundimisht ka arritur pjekurinë e duhur për të bërë diçka madhore.

Shenjat e para u dhanë në vitin 2015-të. Dy barazime kundër Aberdinit ishin të bujshme për kohën, ndërkohë që verën e shkuar arritën deri në fazën “play-off” të Liga Europa.

Nëse edicionin e kaluar nën drejtimin e trajnerit Bruno Akrapoviç u shkua deri aty duke vuajtur, ketë vit me Qatip Osmanin po shkohet duke e shijuar atë.

6 ndeshje, 15 gola te shënuar, nënshtrim kundërshtarëve dhe mbi të gjitha dy super përballje të rezervuara në ndeshjet e “play-off” me gjigandët e Evropës, Milanin.

Është kjo qershia mbi tortë për klubin e Shkëndijës, që pas gjithë këtyre raundeve të kaluara nuk qëndron keq financiarisht, por mbi të gjitha edhe moralisht.

Shkëndija tanimë është shndërruar në një markë “kuqezi”, jo vetëm si ngjyra e fanellës, por mbi të gjitha si ngjyra e kombit, që me datat 17 dhe 24 gusht do të përballen me brendin “kuq e zi” të futbollit evropian, Milanin.

Këto dy përballje priten me shumë entuziazëm nga tifozët “kuq e zi” të Shkëndijës, por edhe ata të Milanit, që kanë paralajmëruar prezencën e tyre në Shkup.

Edhe pse ende është herët për atë ndeshje të 24 gushtit, tifozët që tani kanë filluar të mendojnë për një biletë më shumë, për të qenë pjesë e historisë “kuq e zi”.

Leave a Reply