Futbollisti shqiptarë me origjinë nga Çegrani i Tetovës, Zeni Husmani, këtë vit po kalon momentet e tij më të mira të karrierës me fanellën e skuadrës sllovene të Domzhale, shkruan “infOSport.mk”.
Ai me skuadrën e tij kanë arritur të prekin ndeshjet e fazës “Play-Off” të Liga Evropa, që është suksesi më i madh në hostorikun e Domzhale. Ata deri te kualifikimi për në këtë fazë, arritën me stil, pasi në turin e tretë eliminatorë të Liga Evropa eliminuan Frajburgun nga Bundesliga gjermane, teksa në fazën “Play-Off”, ata i pret edhe një emër i njohur i futbollit evropian, skuadra franceze e Olimpikut të Marsejës.
“Na pret një lojë krejtësisht ndryshe nga ajo kundër Frajburgut. Gjermanët ishin shumë kompakt si skuadër, ndërkohë Olimpiku i Marsejës është një skuadër që ka më shumë kualitet individual. Fizikisht do të jetë një ndeshje e rëndë, por besoj se edhe ne kemi shanset tona. Jemi shumë mirë të përgatitur fizikisht, luajmë mirë lojën përmes kundërzbritjeve, ashtu që këtu shoh shansin e skuadrës sonë në këto përballje kundër Marsejës” – tha enkas për “infOSport.mk” nga Sllovenia, Zeni Husmani, i cili pjesë e Domzhales është që nga vera e vitit 2012-të. Ai me fanellën e kësaj skuadre deri më tani ka zhvilluar 120 ndeshje dhe ka realizuar 6 gola, ndërsa vlen të theksohet se gjatë këtij edicioni ka zhvilluar të gjitha 6 ndeshjet në kuadër të eliminatoreve të Liga Evropa.