Kampionët e Struga Trim Lum barazojnë kundër Debrecen në Antalia të Turqisë

Struga Trim Lum në kuadër të përgatitjeve për stinorin pranveror, sot në Antalia të Turqisë zvilloi takimin e parë kundër hungarezëve të Debrecen. Pas 90 minutave lojë, rezultati në fund ishte 0:0.

Trajneri Qatip Osmani për këtë ndeshje kishte vendosur që të provoj dy formacione të ndryshme, teksa i vetmi që luajti për gjatë 90 minutave, ishte Ard Kasami.

Pjesa e parë nuk prodhoi raste serioze për gol, ndërsa ekipi strugan më i rrezikshëm  shfaqej nga krahu i djathtë. Në anën tjetër, edhe futbollistët e Debrecen nuk arritën të rrezikojnë në asnjë moment portën e struganëve.

Pjesën e dytë, Struga Trim Lum e nisi me formacion krejt ndryshe, teksa sulmi këtë herë udhëhiqej nga dyshja Compaore-Kehinde.

Ishin pikërisht këta që tentuan të shënojnë në rrjetën kundërshtare. Pas harkimit të Memetriza Hamza, Kehinde në minutën e 55-të goditi me kokë, mirëpo vetëm jashtë portës.

10 minuta më vonë, pas një tollovie të shfaqur në zonën kundërshtare, edhe Compaore tentoi për të shënuar me kokë, mirëpo këtë herë ishte portieri kundërshtarë që reagoi dhe nuk lejoi avantazhin e ekipit strugan.

Hungarezët e Debrecen rastin e tyre më të mirë për të kaluar në avantazh, e kishin në minutën e 69-të, mirëpo shtylla ishte aleate e Stevkovskit të Struga Trim Lum.

Në minutën e 85-të, nigeriani Kehinde mjaft mirë u lirua nga dy futbollistë kundërshtarë, duke përfituar hapësirën e duhur për të goditur nga brendia e zonës, mirëpo e majta e tij nuk doli të jetë e saktë.

3 minuta më vonë, Ilievski me një degazhim të gjatë, brenda zonës kundërshtare arriti të gjejë Compaoren, mirëpo reagimi i tij ishte i dobët dhe topi përfundoi drejt në duart e portierit të Debrecen.

Në fund barazim pa gola në ndeshjen e parë në Antalia të Turqisë për Struga Trim Lum, që ndeshjen e rradhës kontrolluese në tokën turke do ta zhvillojë me 24 janar kundër skuadrës polake të FC Korona Kielce. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply