Dy skuadrat përfaqësuese të Maqedonisë në ndeshjet e “Play-Off” të Liga Evropa, Shkëndija dhe Vardari gjatë ditës së sotme edhe zyrtarisht mësuan emrat e skuadrave kundërshtare me të cilat do të përballen me 17, gjegjësisht 24 gusht.
Shkëndija për kundërshtarë do të ketë 7 herë kampionët e Evropës, Milanin, teksa Vardari do të luaj ndaj gjigandëve turq të Fenerbahçes.
Duke parë se edhe Shkëndija, edhe Vardari janë tërhequr të luajnë si vendas në ndeshjet e para, brenda ditës pritet UEFA të vendos nëse do të ketë ndryshim orari.
Është më se e logjikshme që të ketë ndryshim, pasi për momentin në Maqedoni, është vetëm stadiumin “Telekom Arena” që i plotëson kushtet për ndeshjet e kësaj faze. Dhe duke pasur parasysh këtë fakt, UEFA duhet të tregoj se cila prej dy skuadrave përfaqësuese të Maqedonisë do ta zhvillojë ndeshjen si vendas, apo ndoshta do të vendos që njëra prej skuadrave, ndeshjen e saj ta zhvillojë dy dytë më herët (15 gusht, e martë), dhe tjetra në terminin e caktuar (17 gusht).
Gjithçka pritet të vendoset brenda ditës, ndërsa një është e sigurtë se edhe Milani, por edhe Fenerbahçe do të stërmbushin stadiumin e qytetit të Shkupit, i cili këtë vit do të jetë nikoqir edhe i SuperKupës së Evropës, kur me datë 08 gusht, mejdanin do të ndajnë kampioni i Evropës, Real Madridi, dhe fituesi i Liga Evropa, Mançester Junajtedi.