Ndeshjet e futbollit, sidomos ato derbi lokal, në shumicën e shteteve të zhvilluara janë festë në vete. Megjithatë për fat të keq një gjë e tillë nuk po ndodh në futbollin tonë vendor.
Java e 7-të në Ligën e Parë dhuron derbin midis Gostivarit dhe Shkëndijës së Tetovës, ndryshe i njohur si derbi i Pollogut, mirëpo i njëjti në vend që të zhvillohet aty ku e ka vendin, do të zhvillohet disa kilometra larg gurit ku peshon.
Kjo super ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Boris Trajkovski”, në Maxhari të Shkupit. Mirëpo këtu nuk është fundi i absurditetit. Edhe më absurde është që kjo ndeshje do të zhvillohet pa praninë e tifozëve.
Është ky vendim i drejtuesve të KF Gostivarit, të cilët thonë se ky vendim është marrë për arsye organizative dhe të sigurisë!?
Vërtetë një vendim për tu habitur, duke pasur parasysh se ndeshjet e deritanishme mes këtyre dy skuadrave gjithnjë kanë prodhuar spektakël dhe tifozëllëk me kulturë të lartë, ndërsa më së miri një gjë të tillë e pasqyron edhe ndeshja e fundit në Tetovë, kur në tribuna, në njërën anë ishin vendosur “Ballistët” e Shkëndijës, e në anën tjetër “Kastriotët” e Gostivarit.
Vërtetë mëkat, që një derbi i këtillë, mes dy skuadrave pretendente për titull të kalojë pa zhurmën e tupaneve dhe brohoritjeve të tifozëve. (infOSport.mk)