Shkëndija e Tetovës ka firmosur kontratë profesionale me sulmuesin e krahut, Liridon Latifi. 30 vjeçari nga Prishtina së fundmi ishte pjesë e KF Tiranës, ndërsa me vete sjell përvojën dhe cilësinë që kanë ardhur nga karriera e tij e pasur, duke përfshirë dy paraqitje në fazën e grupeve të Liga Europa me Skënderbeun.
“Të jesh pjesë e Shkëndijës është nder. Gjithë karrierën kam luajtur për të dalë kampion, diçka që kërkohet gjithmonë edhe nga Shkëndija. Këtu ka një grup shumë të mirë të lojtarëve, shumë kualitet dhe shpresoj që edhe unë si një forcë shtesë të ndihmoj Shkëndijën të dalim kampion”, – është shprehur Liridon Latifi.
Latifi ka luajtur për Flamurtarin dhe Prishtinën në Kosovë, Skënderbeun dhe Kukësin në Shqipëri, para se të transferohej në Puskás Akadémia në Hungari dhe Sheriff Tiraspol në Moldavi. Pas rikthimit në futbollin shqiptar përmes Vllaznisë së Shkodrës, sezonin e kaluar Latifi u aktivizua me Tiranën.
Tani, për herë të parë, ai do të jetë pjesë e kuqezinjve të Shkëndijës.