Futsal Club Forca ka mbyllur me sukses fazën paraeliminatore të Ligës së Kampionëve Europian, duke dalë fituese e grupit “A”, pjesë e së cilës ishin edhe kampionët e Irlandës, Blu Mexhik, ata të Andorës, Ranger’s dhe të Malit të Zi, Titograd, njofton “infOSport.mk”.
Kampionët e vendit tonë në futsal, regjistruan tre fitore nga po aq ndeshje, duke e zaptuar pozitën e parë me plotë meritë.
Të besuarit e trajnerit Gazmend Hiseini në ndeshjen e parë kishin mundur ekipin e Blu Mexhik me rezultatin 4:2, që më pas në ndeshjen e dytë të shënojnë plotë 9 herë në fitoren 9:3 ndaj Ranger’s, ndërsa sonte në ndeshjen vendimtare për pozitën e parë, në një super ndeshje mundën rivalin kryesor, Titograd me shifrat 8:2.
Edhe në këtë ndeshje shkëlqeu kapiteni Taulant Ismaili, duke regjistruar një “triplet” tjetër pas asaj ndaj Ranger’s.
Ismaili realizoi golin e parë të takimit, ndërsa gjithashtu realizoi edhe dy gola të tjerë gjatë pjesës së dytë. Dy gola të tjerë shtoi braziliani De Souza, goli i dytë ishte autogol i malazezit, Deliç, ndërsa nga një gol tjetër shënuan edhe Dragan Petroviç dhe kolumbiani, Cristian Berrio.
Me këtë fitore, Futsal Club Forca me meritë siguroi pozitën e parë, me një gol-averazh 21:7, duke kaluar në fazën kryesore të Ligës së Kampionëve, ndryshe e njohur si “Main Round”.
Në këtë fazë, Futsal Club Forca do të garojë në grupin 6, së bashku edhe me kampionët e Letonisë, Riga Futsal Club, ata të Serbisë FON Banjica, si dhe fituesin nga Grupi “D” paraeliminatorë, aty ku në garë janë tre skuadra, mirëpo që më shumë gjasa ka skuadra kampione e Holandës, Tigers Roermond, që pas dy xhirove të para numëron 6 pikë të plota.
Matematikat e tyre mund ti prish vetëm skuadra kampione e Anglisë, Mançester, gjithnjë nëse këta të fundit regjistrojnë një fitore më të thellë.
Për dallim nga Futsal Club Forca nga Kumanova, skuadra kampione e Shqipërisë, Tirana, që ishte pjesë e grupit “C”, nuk i’a doli të kualifikohet për në “Main Round”, duke e mbyllur me katër pikë në pozitën e tretë, ndërkohë që kualifikohet për më tej skuadra kampione e Finlandës, Akaa.
Tirana në ndeshjen e xhiros së tretë barazoi 3:3 pikërisht ndaj fituesit të grupit, Akaa. (infOSport.mk)