Almir Rexhepi, i cili i dha fund qëndrimit të tij te Shkëndija, ka vendosur ti bashkohet Besës së Dobërdollit. 23-vjeçari në këtë mënyrë rikthehet te skuadra nga Dobërdolli, pjesë e së cilës ishte nga korriku i vitit 2021, deri janarin e vitit 2023.
Siç mëson ekskuzivisht “infOSport.mk”, Rexhepi me Besën e Dobërdollit ka firmosur kontratë për dy vite, me shpresë se te kjo skuadër do gjejë më shumë hapësira se te Shkëndija, aty ku këtë edicion luajti vetëm 45 minuta, edhe atë pikërisht ndaj tashmë skuadrës së tij të rradhës, kur gjatë pjesës së dytë në ndeshjen e zhvilluar në Gostivar, zëvendësoi xhamajkanin, Ronaldo Webster.
Rexhepi pritet të jetë një shtesë forcë për krahun e majtë të mbrojtjes te Besa e Dobërdollit, skuadër kjo që edhe përkundër performancës së shkëlqyer në dy ndeshjet e para të sezonit të ri kundër Shkëndijës dhe Struga Trim Lum, në fund mbeti duarbosh, duke mos arritur të marrin pikët e para në sezonin debutues në Ligën e Parë.
Rexhepi pritet që të debutojë që të dielën, kur Besa në rolin e nikoqirit do të mirëpret Tikveshin. Bashkë me të, pritet që të debutojë edhe Ilirid Ademi, me të cilin drejtuesit e skuadrës nga Dobërdolli kanë arritur marrëveshje një vjeçare. (infOSport.mk)