Bashkimi nga Kumanova e ka nisur me këmbë të mbarë sezonin e ri në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë, duke mundur Borecin në Veles me rezultatin minimal 1:0, njofton “infOSport.mk”.
Ardit Demiri, një ndër përforcimet e merkatos së verës doli të jetë autori i golit të vetëm të këtij takimi, në të cilin skuadra kumanovare dominoi thuajse në të gjithë ndeshje, duke dëshmuar se për momentin është kundërshtarë shumë më i mirë se Boreci, skuadër kjo që u rikthye në Ligën e Dytë.
Ndeshja e sotme në Veles ishte e fundit në kuadër të xhiros së parë, në të cilën fitores i ishte gëzuar edhe KF Arsimi nga Çegrani. Këta të fundit kishin mundur Bellasicën me shifrat 4:2, duke paralajmëruar një sezon të mbarë.
Në kuadër të xhiros së dytë, Bashkimi në Kumanovë do të mirëpret Makedonija Gj.P, një ndër pretendentët kryesor për inkuadrim në Ligën e Parë, ndërkohë KF Arsimi do të udhëtojë drejt Ohrit, për tu përballur me Ohrid Lihnidos. (infOSport.mk)