Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në UEFA ka zbardhur vendimet për ngjarjet e fundit në ndeshjet e 1/8 së finales në kuadër të Euro 2024. Dy nga ndeshjet që sollën shumë polemika, ishin ato midis Anglisë dhe Sllovakisë dhe Austrisë dhe Turqisë.
Në fund ishin anglezët dhe turqit që shkuan tutje, mirëpo disa nga gjërat që ndodhën në ndeshjet e lartëpërmendura, bënë që të ketë edhe një pjesë të tretë, e këtë herë ishte Komisioni i Disiplinës dhe Etikës që kishte fjalën kryesore.
Kështu kjo e fundit vendosi të dënojë futbollistin turk Merih Demiral me dy ndeshje skualifikim, njëjtë sikurse edhe futbollistin e Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku.
Shqiptari nga Kosova pas përfundimit të ndeshjes kundër Kroacisë kishte ofenduar serbët dhe maqedonët, kur po festonte me tifozët shqiptarë, ndërkohë qendërmbrojtësi dhe heroi absolut i Turqisë, Merih Demiral, i cili shënoi të dy golat përballë Austrisë, në festën e një prej golave, kishte ngritur lart të dy duart duke bërë me shenjë një simbol që në Turqi konsiderohet si “Ujqërit Gri”, ndryshe të njohur si grup ushtarak.
Pikërisht kjo festë, Demiralit i kushtoi njëjtë sikurse edhe Dakut, 2 ndeshje pezullim, që don të thotë se UEFA luan me standarde të dyfishta, pasi nryshe veproi me superyllin e Anglisë, Jude Bellingham i cili në përfundim të ndeshjes kundër Sllovakisë kishte bërë një gjest antisportiv, duke treguar me dorë drejt organit të tij gjenital.
Ky gjest aspak i hijshëm, yllit të Real Madridit i ka kushtuar me një gjobë prej 20 mijë eurove, ndërsa kujtojmë se gjestet e turpshme të futbollistëve dhe tifozëve të Serbisë që kishin ngritur lart 3 gishtat, simbol i genocidit në Kosovë, ende kalon pa asnjë dënim nga UEFA.