Kosova ka shënuar fitore në ndeshjen e parë parakualifikuese për Kampionatin Botëror “Kina 2019”, duke mundur Maqedoninë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Edhe pse pjesa e parë na bëri të mendojmë se Kosova do t’ia del të mposhtë shumë lehtë Maqedoninë, pas asaj pjese të parë impresionuese të basketbollistëve kosovarë, ashtu nuk ndodhi, pasi në fund Kosova shënoi fitore me vetëm 4 pikë epërsi, 72:68.
Ndryshe pjesa e parë u mbyll me 20 pikë epërsi, 40:20, me një super Dardan Berisha, i cili thjeshtë ishte i pandalshëm për basketbollistët e Maqedonisë, të cilët u zgjuan nga gjumi vetëm në pjesën e dytë, që në tërësi foli për të përzgjedhurit e trajnerit, Jordanço Davitkov.
Megjithatë vetëm një pjesë nuk mjaftoi që ata nga Prishtina të kthehen të pamposhtur, ashtu që fitoren e parë në kuadër të grupit “C”, paraeliminatorë për Kampionatin Botëror “Kina 2019”, do të duhet ta kërkojnë të shtunën në Shkup në përballjen ndaj Estonisë.
Në anën tjetër Kosova që sonte shënoi fitoren e parë historike në një ndeshje zyrtare prej kur se u pranua në FIBA, ndeshjen e dytë në kuadër të grupit do ta zhvillojë pas një jave në transfertë kundër Estonisë.