Lajm bombë, Gostivari sezonin e ri në Ligën e Parë sjellë dy super yje, Balotelli-Nani!

Edhe përkundër shpenzimeve të shumta gjatë edicionit të kaluar, KF Gostivari nuk arriti të bëjë “boom” në elitën e futbollit vendor. Kjo ka bërë që drejtuesit e kësaj skuadre të fillojnë ndërtimin e një skuadre konkurruese për edicionin e ri, duke i dhënë shumë ngjyrë kampionatit tonë, por edhe një reklamë të bujshme, kjo pasi në rradhët e tyre planifikojnë të sjellin dy super yje të futbollit botëror.

Siç mëson ekskluzivisht “infOSport.mk”, drejtuesit e KF Gostivarit tashmë kanë hyrë në bisedime me dyshen Luis Nani dhe Mario Balotelli.

Që të dy kanë lënë gjurmë në futbollin europian, ndërsa transferimi i tyre eventual, pa dyshim se do të rriste nivelin e kampionatit tonë, por njëkohësisht edhe vetë klubin e Gostivarit, skuadër kjo që udhëhiqet nga investitor turq.

Transferimi i tyre te KF Gostivari, sipas burimit të afërt me faqen tonë, do të ndodhte vetëm nëse kjo dyshe nuk do të gjente ndonjë skuadër në Europë, teksa që të dy së fundmi ishin pjesë e kampionatit turk, edhe atë duke luajtur te e njëjta skuadër, Adana Demirspor.

Portugezi Luís Carlos Almeida da Cunha dhe italiani Mario Balotelli, së bashku peshojnë plotë 25 tituj, përfshirë këtu edhe trofeun e Ligës së Kampionëve.

Një bagazh i madh trofesh, por mbi të gjitha edhe si futbollistë, që pas vetes së bashku kanë arritur shifrën e më shumë se 300 golave në Europë, aty ku për një periudhë ishin edhe kundërshtarë duke mbrojtur ngjyrat e dy skuadrave nga Mançesteri.

Kujtojmë, Nani është shpallur edhe kampion Europe me Portugalinë, për të cilën kombëtare ka regjistruar 112 ndeshje dhe 23 gola, derisa Balotelli me fanellën “axurre” numëron 36 ndeshje dhe 14 gola.

Një dyshe kjo fantastike, që për kushtet e futbollit vendor, do të ishte një sihariq, por edhe një vlerë e shtuar. (infOSport.mk)

Leave a Reply