Shkëndija dhe Besa e Dobërdollit vihen pas bomberit Besart Ibraimi!

Besart Ibraimit në fund të qershorit i përfundon kontrata me Struga Trim Lum, ndërsa kjo ka bërë që në adresë të bomberit të vijnë ofertat e para, mëson “infOSport.mk”.

Burime të afërta me portalin tonë, thonë se për shërbimet e golashënuesit më të mirë në historinë e futbollit vendor janë vënë dy skuadrat nga Pollogu, Shkëndija dhe Besa e Dobërdollit.

Si duket nga tabori i Shkëndijës kanë kuptuar gabimin e bërë gushtin e vitit 2021, kur lejuan largimin e golashënuesit të tyre më të mirë. Atë kohë Ibraimi vendosi të transferohet në Greqi te skuadra e Ksantit, që më pas verën e vitit 2022 të rikthehet sërish në futbollin vendor, mirëpo këtë herë duke veshur fanellën e Struga Trim Lum.

Ishte ky vendimi i duhur për Ibraimin, i cili edhe pse në moshë 35-vjeçare, doli të jetë më meritori për titullin e parë kampion të Struga Trim Lum, ndërsa i njëjti  shkëlqeu edhe këtë edicion, sidomos në ndeshjet vendimtare, përfshirë këtu edhe atë të fundit kundër Shkëndijës, kur paralajmëroi fitoren dhe njëherit titullin e dytë kampion.

Duartrokitjet e publikut tetovar, e në veçanti të “Ballistëve”, ndoshta mund të ndikojnë në vendimin e Ibraimit, për të veshur sërish fanellën “kuqezi”, për të cilën në përgjithësi ka shënuar 146 gola.

Janë këto vetëm zërat e parë dhe tentativat e para të drejtuesve të Shkëndijës dhe Besës së Dobërdollit për të bërë për vete golashënuesin më të mirë në historinë e futbollit vendor, i cili brenda dy edicioneve me fanellën e Struga Trim Lum në 65 ndeshje ka realizuar plotë 41 gola, 7 prej të cilëve në 8 ndeshje europiane, aty ku tifozët strugan shpresojnë ta ndihmojë skuadrën e tyre edhe këtë edicion.

Pikërisht Liga e Kampionëve dhe arena ndërkombëtare mund të luajnë rol të rëndësishëm në vendimin përfundimtarë të Besart Ibraimit rreth karrierës së tij, ashtu që me shumë gjasa Struga Trim Lum pritet  të jetë sërish opcioni i tij i parë.

Leave a Reply