Artan Iljazi optimist: Tre pikët mbesin në Çair

FC Shkupi të shtunën në stadiumin e Çairit, do të mirëpret rivalin e madh, Shkëndijën, ndeshje kjo që për të dyja skuadrat vlen titull. Që të dyja skuadrat nuk është se kanë pasur edhe aq shumë kohë rikuperimi, pas ndeshjeve të tyre në mesjavë, mirëpo duke pasur parasysh rëndësinë e këtij takimi, pa dyshim se aktorët e të dyja skuadrave në fushë do të zbresin për të dhënë edhe atomin e fundit.

 “Na pret një ndeshje mjaft e vështirë, duke marrë parasysh se në duelin e fundit nuk e morëm atë që edhe kërkuam.  Por sido që të jetë ne jemi të përgatitur maksimalisht dhe ndaj Shkëndijës shpresojmë në rezultat pozitiv. E kemi parasysh se kanë mbetur vetëm edhe tri ndeshje deri në fund të kampionatit dhe gjithçka varet nga ne. Shpresoj që me ndihmën e “Shvercerave” dhe të gjithë tifozëve që do të jenë të shtunën, ndeshjen kundër Shkëndijës ta fitojmë dhe tre pikët të mbesin në Çair”, – ka thënë portieri Artan Iljazi, njëherit edhe kapiteni i FC Shkupit, skuadër kjo që në mesjavë u mposht nga Gostivari me shifrat 2:0.

Në anën tjetër, në një ndeshje infarkt, Shkëndija vetëm në kohën shtesë mundi AP Brera me shifrat 3:2, pavarësisht disavantazhit prej 2:0 që kishte deri në minutën e 87-të.

Mbetet të shihet, nëse do shohim një FC Shkup të këndellur, apo një Shkëndijë më të motivuar se kurrë, për të rikthyer titullin në Tetovë.

Ndeshja Shkupi – Shkëndija luhet të shtunën me fillim nga ora 17:00, ndërsa besimi për të gjykuar këtë ndeshje iu është dhënë arbitrit nga Shtipi, Dimitar Pileshkov. (infOSport.mk)

Foto: Ilhan OSMANI

Leave a Reply