Ernest Gjoka, edhe zyrtarisht ashtu edhe siç paralajmëruam, është emëruar trajner i ri i FC Shkupit, duke u rikthyer në këtë mënyrë sërish në futbollin vendor, pas aventurës që kishte me Shkëndijën (2019-2021), njofton “infOSport.mk”.
Gjoka, i cili ka përvojë të madhe si trajner, në futbollin shqiptar ka drejtuar ekipet si Kukësi, Flamurtari, Vllaznia, Kamza, Apolonia, dhe Tomori.
Ai gjithashtu ka një përvojë të suksesshme edhe në futbollin tonë vendor, pasi nën drejtimin e tij ekipi i Shkëndijës arriti titullin kampion në sezonin 2020/2021.
“Jam i kënaqur që kam ardhur në një skuadër siç është Shkupi, një skuadër që është ndërtuar për të dalë kampion, një skuadër elitare e futbollit të Maqedonisë. Sigurisht se jam i lumtur që jam bashkuar me ta, kështu që mendoj dhe shpresoj që së bashku të gjithë, që këto pesë finale ti kthejmë në favorin tonë, pse jo të kërkojmë titullin kampion për atë që edhe është ndërtuar kjo skuadër”, ka thënë strategu shqiptar, tani timonier i FC Shkupi, Gjoka.
Kontrata e Gjokës me FC Shkupi përfshin pesë ndeshjet e fundit të këtij sezoni, si dhe gjithë sezonin e ardhshëm, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Gjoka në postin e trajnerit te FC Shkupi, zëvendëson boshnjakun, Mlladen Zhizhoviç. (infOSport.mk)