Besart Ibraimi të shtunën kundër FC Shkupit do të zhvillojë takimin e tij të 23-të. Një gjë të tillë nuk e ka bërë ndaj asnjë skuadre tjetër deri më tani, ndërsa vlen të theksohet se pikërisht ndaj kundërshtarit të nesërm, Ibraimi numëron më së shumti gola në karrierën e tij.
17 gola në 22 ndeshje deri më tani për Ibraimin, i cili dy gola përballë FC Shkupit ka realizuar edhe me fanellën e skuadrës strugane.
Ibraimi pritet të jetë rreziku më i madh për portën kundërshtare edhe në takimin e nesërm në Strugë, aty ku pret një përkrahje të madhe nga ana e tifozërisë strugane.
“Do jetë një ndeshje e vështirë, përparësia jonë është që do të luajmë në terrenin tonë, para publikut tonë, ashtu që shpresojmë se tifozët tanë do të na japin përkrahjen e duhur, për të shpresuar në fund tek fitorja.”
Ndeshja e nesërme e 23-ta kundër FC Shkupit…
“Kam zhvilluar shumë ndeshje kundër Shkupit. Në këto ndeshje të rëndësishme, secili lojtar duhet të jap kontribut sa më të madh, për të arritur ojektivin e ekipit, e që pa dyshim se edhe këtë herë është fitorja.”
Gol kundër FC Shkupit….
“Unë personalisht në çdo ndeshje futem për të shënuar, pavarësisht kundërshtarit që kam përballë. është e vërtetë që ndaj Shkupit kam shënuar më së shumti gola, dhe me siguri se do të doja që atë seri ta thelloja edhe më shumë, por mbi të gjitha, sidomos për takimin e nesërm, me rëndësi është që të fitojë skuadra.”
Titulli kampion…
“Besoj se do të ketë një luftë të ashpër deri në fund të kampionatit mes nesh, FC Shkupit dhe Shkëndijës. Sigurisht që neve si kampion aktual do mundohemi që të përsërisim suksesin e vitit të kaluar, kuptohet duke dhënë më të mirën në terren, mirëpo pasi ka ende shumë xhiro për tu zhvilluar, them t’ia lëmë kohës dhe në fund do shohim se kush do të jetë kampioni”.
Edhe edicionin e kaluar Struga Trim Lum së bashku me FC Shkupin luftoi deri në fund për titullin e kampionit. Në fund ishte skuadra strugane që i’a doli të shpallej kampion, edhe atë disa xhiro më herët, ndërsa në ndeshjen e fundit të sezonit 2022/23, kishin luajtur pikërisht ndaj FC Shkupit, duke i mundur me shifrat 2:1 dhe në fund duke festuar si kampion të vërtetë.