Është përzgjedhur kompania e cila do të bëjë rikonstruimin e stadiumit të qytetit në Tetovë, edhe pse kontrata ende nuk është nënshkruar. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thekson se procedurat janë nga fundi dhe se është çështje ditësh deri sa të nënshkruhet kontrata dhe të fillojnë punimet, shkruan Portalb.mk.
Me 09.02.2024, Shoqëria për tregti dhe shërbime “E-Property DOOEL Tetovë” është përzgjedhur si kompania me ofertën më të volitshme në tenderin për ndërtimin dhe rikonstruimin e objekteve sportive.
Megjithatë kontrata nuk është nënshkruar ende. Kryetari i Komunës së Tetovës theksoi se është çështje ditësh deri në nënshkrimin e kontratës dhe fillimin e punimeve.
“Unë besoj se janë procedurat e fundit në drejtim të harmonizimit të kontratës me kompaninë që ka fituar tenderin për realizim të projektit dhe sigurisht kur do jemi gati edhe do të nënshkruhet marrëveshja edhe do të nisin punimet”, tha Bilall Kasami.
Sipas shpalljes publike të bërë nga ana e Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” vlera e parashikuar është 600 mijë denarë pa TVSH, që i bie rreth 9.7 milionë euro. Me projektin janë të parapara edhe Qendra Sportive dhe Rekreative e qytetit si dhe terreni sportiv në fshatin Saraqinë.
Në lidhje me atë se me çfarë mjetesh do të bëhet ky projekt, Kasami ka deklaruar se do bëhet me para të komunës, të cilat do sigurohen nga të hyrat e komunës prej pagesave të qytetarëve, ai theksoi se nuk është paraparë ndonjë hua.
Megjithatë Komuna e Tetovës është në gjendje të rënduar financiare me borxh prej 8.4 milionë eurove.
Tenderi për rikonstruimin e stadiumit të qytetit u hap me 22 nëntor 2023, ndërsa për të njëjtin janë bërë një maratonë premtimesh.
Kryetari i Komunës së Tetovës gjatë vitit 2023 ka deklaruar disa herë për rikonstruimin e stadiumit, në nëntor, tetor, korrik dhe maj. Edhe vitin 2022 disa herë Kasami përmendi se pritej të kishte zgjidhje brenda atij viti.
Rikonstruimin Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.
Rikujtojmë që edhe kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por kjo nuk u realizua në terren.
Përndryshe, stadiumi i Tetovës është në gjendje të shkatërruar dhe nuk plotëson standardet e UEFA-s, ndërsa kjo ka bërë që skuadra emblemë e këtij qyteti, Shkëndija, ndeshjet e saj europiane ti zhvillojë në Shkup.