Liga e Kampionëve rikthehet sonte me dy ndeshjet e para të raundit me eliminim direkt. Në fushë zbresin favoritët e mëdhenj, kampioni në fuqi Mançester Siti në Kopenhagë dhe Real Madridi në Lajpcig.
Liga e Kampionëve rikthehet sonte me dy ndeshjet e para të 1/16-ve të finales, të cilat do të kenë si protagonistë dy favoritët kryesorë për fitimin e trofeut, kampionin në fuqi, Mançester Sitin dhe skuadrën me më tepër tituj, Real Madridin.
Të dyja, si fituese të grupeve, i luajnë ndeshjet e para si mysafir. Siti do të luajë në Kopenhagë përballë kampionëve të Danimarkës, ndërsa Madridi do luaj në Lajpcig.
Të dyja çiftet kanë histori përplasjesh që nuk shkojnë më larg se sa sezoni i kaluar. Në fazën e grupeve, Mançester Siti barazoi pa gola në Kopenhagë, ku skuadra vendase ka njohur vetëm një humbje në 10 vitet e fundit, pikërisht në këtë sezon, nga Bajerni u Munihut.
Në dy vizita në kryeqytetin danez, Siti ka marrë dy barazime, megjithatë mbetet favoriti i madh edhe për këtë ndeshje.
Skuadra e Pep Guardiolës ka rigjetur formën më të mirë dhe marshon pa humbje prej 20 ndeshjesh në Ligën e Kampionëve. Ndeshja në Lajpcig pritet të jetë më e ekuilibruar, pasi skuadra vendase kishte fituar ndaj “madrilenëve” sezonin e kaluar në ndeshjet në grupe.
Megjithatë Reali mbetet favorit, pavarësisht se dy ndeshjet e sezonit të kaluar ishin të barabarta dhe skuadrat arritën nga një fitore.
Humbja në Lajpcig është e vetmja e spanjollëve në 13 ndeshjet e fundit përballë skuadrave gjermane.