Dy talentët shkupjan, Omerfaruk Sulejmani dhe Besmir Daci, edhe zyrtarisht janë pjesë e Dukagjinit të Klinës, skuadër kjo që garon në elitën e futbollit kosovar.
“infOSport.mk” në mënyrë ekskluzive që disa ditë më parë kishte njoftuar për këto dy lëvizje, e që realisht janë shumë pozitive për dy talentët e dalë nga shkolla e FC Shkupit.
Edhe Sulejmani, edhe Daci, së fundmi ishin pjesë e FK Skopjes, mirëpo falë talentit të tyre, por edhe dëshirës për të ecur para në karrierën e tyre, ata vendosën të sfidojnë veten, duke pranuar që të testohen nga drejtuesit e Dukagjinit, me në krye trajnerin Armend Dallku, i cili kishte mbetur i kënaqur me gjithë atë performancë, që kjo dysh kishte treguar që nga dita e parë në Antalia të Turqisë, aty ku skuadra nga Klina vazhdon të zhvillojë fazën kryesore të përgatitjeve në prag të stinorit pranveror.
“Jemi të kënaqur me të dy, janë djem me prespektivë të madhe. Normalisht ju duhet kohë sepse kanë ardhur në një rreth të ri me ide të tjera, me kërkesa të tjera, ashtu që ju nevojitet fillimisht një ambientim i mirë. Falë performancës së treguar këtu në Turqi, neve ju kemi ofruar kontrata profesionale, me shpresë se do i shërbejnë skuadrës për të ardhmen” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku.
Sulejmani luan si mesfushor qendre, por edhe si sulmues krahu, ndërsa vlen të theksohet se i njëjti ka qenë edhe pjesë e përfaqësueseve zinxhir të Maqedonisë, U16, u17 dhe U18.
18-vjeçari Sulejmani numëron edhe dy paraqitje në elitën e futbollit të Maqedonisë, aty ku kishte debutuar shtatorin e vitit 2023 në ndeshjen kundër Pobedës nga Prilepi, ndaj së cilës skuadër në anën tjetër, Besmir Daci kishte realizuar golin debutues në moshën e tij 18-vjeçare.
Daci në elitën e futbollit të Maqedonisë numëron 6 ndeshje me fanellën e Skopjes, ndërsa në të kaluarën gjithashtu kishte luajtur edhe me Borecin dhe Lokomotivën. (infOSport.mk)