Prishtina e Useinit dhe Ramadanit fiton SuperKupën e Kosovës, mundi Ballkanin në Turqi

Skuadra e Prishtinës, pjesë e së cilës janë edhe dy futbollistët nga Maqedonia, Muhamed Useini dhe Besir Ramadani, ka arritur të fitojë SuperKupën e Kosovës, pasi sot në ndeshjen finale të zhvilluar në Antalia të Turqisë, mundën skuadrën kampione të Ballkanit me shifrat 2:1, njofton “infOSport.mk”.

Këtë fitore skuadra nga kryeqendra kosovare e paralajmëroi që në fazën e hershme të takimit, kur falë golit të shënuar nga Egzon Hiseni, avansuan që në minutën e 10-të. Ishte ky goli i vetëm i shënuar në 45 minutat e para, ndërsa me të filluar pjesa e dytë, Prishtina shënoi edhe golin e dytë, këtë herë me anë të Leotrim Kryeziut.

Vlen të theksohet se në të dy golat e prishtinasve, në rolin e asistuesit ishte Kreshnik Uka.

Ndryshe golin e vetëm për skuadrën e Ballkanit nga Suhareka, e realizoi Krenar Dulaj në minutën e 79-të. Ballkani tentoi deri në fund për të barazuar shifrat, mirëpo nuk i’a arriti qëllimit, ndërsa në fund Prishtina arriti të fitojë trofeun e SuperKupës pas 4 viteve.

Për Prishtinën ishte kjo hera e 11-të që fiton SuperKupën e Kosovës, të cilën për herë të parë e kishte fituar në vitin 1995, ndërsa është ky trofeu i 30-të gjithsej për këtë skuadër, që kryeson në futbollin kosovar, kur janë në pyetje titujt. (infOSport.mk)

Leave a Reply