Ditët e fundit po flitet shumë në lidhje me afrimin e Shkodran Mustafit te Vllaznia e Qatip Osmanit, teksa për ta “ngacmuar” edhe më shumë këtë lajm ka shërbyer edhe vizita e të atit, njëkohësisht menaxherit të tij Kujtim Mustafi, ditën e dielë në stadiumin “Loro Boriçi” duke e parë ndeshjen Vllaznia- Kukësi, përkrah presidentit të “kuqebluve”, Alban Xhaferi.
Në media por edhe në opinion po flitet shumë në lidhje me këtë temë dhe në fund ka ardhur edhe një shpjegim i babait- menaxher, Kujtim Mustafi që për gazetën “Panorama Sport”, ka thënë: “Unë shkoj në çdo stadium, por kjo nuk do të thotë se vetëm për të çuar djalin tim. Jam menaxher futbolli prej disa vitesh dhe kam lojtarë të tjerë që udhëheq. Nuk është se kam shkuar në stadiumin e Vllaznisë për Shkodranin. Natyrisht që mediat mund ta lidhin emrin tim me një transferim të mundshëm të djalit, por kjo është punë e tyre. Më shumë nuk kam se çfarë të komentoj. Tani i bie që babai i Shkodran Mustafit nuk duhet të shkojë më në stadium. Megjithatë, djali im do të vijë në Shqipëri për pushime”.
Aktualisht Mustafi është pa skuadër, pasi së fundmi kishte luajtur me Levanten në Spanjë. Ndryshe gjatë karrierës së tij, futbollisti me origjinë nga Gostivari, pas vetes ka një karrierë të bujshme, duke luajtur me skuadra shumë të njohura, si Arsenal, Valencia, Sampdoria, Everton dhe Shalke 04.
Kujtojmë me Gjermaninë, ai ishte shpallur kampion Bote në vitin 2014, ndërsa 5 vite më herët si pjesë e gjeneratës U17 të “pancerëve”, ishte shpallur kampion Europe.
Me kombëtaren gjermane në vitin 2017-të, i njëjti kishte fituar edhe Kupën e Konfederatave, ndërsa 3 tituj tjetër kishte fituar edhe me Arsenalin , edhe atë dy herë trofeun e FA Kupës dhe njëherë SuperKupën e Anglisë.