Shkëndija dhe Zahov mbyllin bashkëpunimin gati një dekadësh!

Shkëndija përmes faqes zyrtare ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me portierin Kostadin Zahov pas gati 9 sezoneve të përbashkëta. Me një kontribut të shquar dhe arritje të shumta, Shkëndija falënderon portierin për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kohës së bashkëpunimit.

Zahov skuadrës tetovari i ishte bashkuar janarin e viti 2016 dhe në më pak se një dekadë, i njëjti u shndërrua në një nga pikat kyçe të ekipit në epokën më të suksesshmë në historinë e “kuqezinjëve”.

Ai me Shkëndijën fitoi tre tituj kampion, dy Kupa, ndërsa gjithashtu do të mbahet mend për ato paraqitje të shkëlqyeshme në Evropë dhe gëzime të pafundta me fanellën “kuqezi”.

Ndryshe, Zahov me fanellën e Shkëndijës në përgjithësi numëron 237 paraqitje zyrtare, derisa në 115 ndeshje kishte arritur të mbajë rrjetën e tij të paprekur.

Vendin e Zahovit në kompletimin e treshes së portierëve te Shkëndija, do ta zë Astrit Amzai, i cili kthehet te skuadra tetovare pasi kaloi një periudhë kalitje si huazim te Gostivari dhe Teteksi. (infOSport.mk)

Leave a Reply