Shefki Kuqi edhe zyrtarisht është prezantuar si trajner i ri i skuadrës kosovare të Feronikelit nga Drenasi. Një gjë të tillë “infOSport.mk” kishte bërë të ditur që para vitit të ri, ndërsa tashmë strategu 47-vjeçar nga Vushtria edhe zyrtarisht do të drejtojë një ndër skuadrat më të njohura kosovare të pas luftës.
Kuqi është një emër i njohur i futbollit europian, pasi gjatë karrierës së tij ka luajtur në Finlandë, Gjermani, Angli dhe Skoci, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe me kombëtaren e Finlandës.
Ai në postin e trajnerit te Feronikeli do të pasojë tetovarin, Djengis Rexhepin, ndërsa skuadra nga Drenasi do të jetë e katërta që do ta udhëheq në karrierën e tij si trajner, pas skuadrave finlandeze të FC Honka, PK-35 dhe FC Inter.
Kujtojmë, pjesë e Feronikelit janë edhe dy futbollistët shqiptarë nga Maqedonia, Jakup Berisha dhe Ilirid Ademi. (infOSport.mk)