Jeton Beqiri edhe zyrtarisht prej sot do të ushtrojë detyrën e trajnerit te Shkëndija e Tetovës, skuadër kjo që ka një vend të posaçëm në zemrën e tij.
“Normalisht të jesh trajner i Shkëndijës është privilegj dhe kënaqësi shumë e madhe, por në të njejtën kohë është edhe përgjegjësi dhe një sfidë e imja personale. Për këtë pjesë dua të falenderoj kryesinë e klubit dhe pronarët për besimin e dhënë, duke shpresuar që në fund edhe rezultatet të na japin të drejtë dhe të jemi ekipi që do jetë shumë dominues dhe një skuadër që do të prodhojë paraqitje të mira në pranverë.” – shprehet Jeton Beqiri, i cili pranon se vetëm Shkëndijad dhe dashuria që ndjen ndaj kësaj skuadre, bënë që ai të largohet nga Arabia Saudite, aty ku vërtetë po punonte në kushte shumë komode.
“Dihet se kam qenë me kushte komode atje, megjithatë ftesa nga Shkëndija për mua përfaqëson krejtësisht diçka tjetër. Gjatë një viti e gjysmë atje unë kam pasur edhe oferta tjera, kryesisht nga Shqipëria, Kosova edhe këtu nga Maqedonia. Por, asnjëherë nuk e kam menduar rikthimin për një skuadër tjetër, përveç skuadrës së Shkëndijës. Edhe pikat kontraktuale që kisha atje, i kisha të lidhura pikërisht me këtë. Tani erdhi momenti që të bashkohemi përsëri dhe shpresoj të jetë e suksesshme.” – thotë Beqiri, i cili rikthehet te Shkëndija për të udhëhequr skuadrën kuqezi për herë të parë si shef i stafit teknik, pasi në të kaluarën ka qenë ndihmës trajner si dhe në dy raste ushtrues detyre.