Gjykata e Lartë e BE-së vendosi sot se UEFA dhe FIFA kishin vepruar në mënyrë antiligjore kur kishin bllokuar krijimin e Superligës Evropiane.
Pas këtij vendimi, ka reaguar UEFA, e cila tha se e merr parasysh vendimin e dhënë sot nga Gjykata në rastin e Superligës Evropiane.
UEFA thotë se ky vendim nuk nënkupton një miratim ose vërtetim të të ashtuquajturës ‘super ligë’; më tepër nënvizon një mangësi para-ekzistuese brenda kuadrit të para-autorizimit të UEFA-s, një aspekt teknik që tashmë është pranuar dhe trajtuar në qershor 2022.
UEFA thotë se ka besim në qëndrueshmërinë e rregullave të saj të reja dhe veçanërisht se ato janë në përputhje me të gjitha ligjet përkatëse evropiane dhe rregulloret.
“UEFA mbetet e vendosur në angazhimin e saj për të mbështetur piramidën evropiane të futbollit, duke siguruar që ajo të vazhdojë t’i shërbejë interesave më të gjera të shoqërisë. Ne do të vazhdojmë të formësojmë modelin evropian të sportit kolektivisht me shoqatat kombëtare, ligat, klubet, tifozët, lojtarët, trajnerët, institucionet e BE-së, qeveritë dhe partnerët”.
“Ne besojmë se piramida e futbollit evropian me bazë solidariteti që tifozët dhe të gjithë aktorët kanë deklaruar si modelin e tyre të pazëvendësueshëm, do të mbrohet nga kërcënimi i shkëputjes nga ligjet evropiane dhe kombëtare”, ka thënë UEFA në këtë deklaratë për media.
Pas vendimit të gjykatës, shumë klube evropiane kanë dalë kundër krijimit të Superligës Evropiane, përfshirë këtu edhe dy klubet nga vendi ynë, Struga Trim Lum dhe Rabotniçki.