Shkupi ka shënuar edhe një fitore tjetër në kuadër të ndeshjeve kontrolluese në Mavrovë. “Pëllumbat” nga Çairi sot me rezultatin minimal 1:0mundën ekipin e Flamurtarit nga Prishtina, që sezonin e ri do të luaj në elitën e futbollit kosovarë.
Trajneri Ardian Nuhiu gjatë pjesës së parë luajti me formacionin më të mirë, teksa gjatë pjesës së dytë ju dha rastin edhe futbollistëve të rinj, në mesin e të cilëve ishte edhe përforcimi më i fundit, Alen Jasharovski.
Pikërisht ky i fundit realizoi golin e vetëm të takimit, kur realizoi nga gjuajtja e lirë. Deri në fund të takimit Shkupi u kanos edhe përmes Suhejl Muharemit dhe Muharem Bajramit, i cili ishte i pafat, pasi shtylla i mohoi golin.
Me këtë përballje Shkupi përfundon ndeshjet kontrolluese në kuadër të përgatitjeve të Mavrovë, ndërsa nesër planifikohet kthimi për në Shkup. Rikujtojmë Shkupi ditë më parë me po të njëjtin rezultat mundi Gostivarin, teksa në ndeshjen e tyre të parë në Mavrovë u mundën nga Renova.
Ndeshjen e rradhës FC Shkupi do ta zhvillojë me 6 gusht në stadiumin e Çairit ndaj FC Prishtinës (17:00h), ndeshje kjo që do të jetë edhe prova gjenerale para startit të kampionatit të ri në LPFM, që starton me 13 gusht.