Jasir Asani ka qenë padyshim një nga futbollistët më të rëndësishëm dhe më meritor për suksesin e Kombëtares shqiptare në kuadër të eliminatoreve për kualifikim në Europianin e vitit të ardhshëm në Gjermani, aty ku Shqipëria do ta marrë pjesë për herë të dytë në histori, pas pjesëmarrjes në vitin 2016-të.
28-vjeçari ishte basti i fituar i Sylvinhos, me shkupjanin që e nisi aventurën kuqezi në Varshavë përballë Polonisë.
Asani gjithashtu është një nga futbollistët më të rëndësishëm edhe te ekipi i tij në Korenë e Jugut, Gwangju FC. Mirëpo si duket performancat e tij kohëve të fundit, do i japin fund aventurës së shkupjanit në Korenë e largët.
Sipas “SuperSport” e ardhmja e Asanit pritet të jetë La Liga spanjolle.
Las Palmas është ekipi që është vënë pas shërbimeve të shkupjanit, i cili gjatë ditës së djeshme përcolli për së afërmi ndeshjen e ish skuadrës së tij, FC Shkupit përballë Makedonija GJ.P.
Në krahun tjetër, ekipi korean i Gwangju FC, pretendon të fitojë rreth 1 milionë euro nga shitja e shqiptarit, me ekipin spanjoll që nuk pritet të krijojë probleme përsa i përket çmimit.
Por spanjollët nuk janë të vetmit që duan Asanin në skuadër, pasi në adresë të tij dhe menaxherit Jovkov, kanë arritur oferta edhe nga Gjermania dhe Arabia Saudite.