Skuadra kampione e Kosovës, Ballkani, që për të dytin vit me rradhë po merrë pjesë në grupet e Ligës së Konferencës, ndeshjen e xhiros së 5-të në kuadër të grupit “C” kundër Viktoria Plzen do të duhet ta zhvillojë jashtë Kosovës, njofton “infOSport.mk”.
Drejtuesit e Ballkanit tanimë janë njoftuar me vendimin e UEFA-s dhe janë duke kërkuar një alternative, se ku mund ta zhvillojnë këtë ndeshje shumë të rëndësishme, duke pasur parasysh se fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë nuk i plotëson kushtet për momentin.
Me shumë gjasë kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e Kukësit, duke parë afërsinë mes dy shteteve shqiptare, mirëpo këtu nuk përjashtohet edhe “Air Albania” në Tiranë, një super impiant, ku skuadra kampione e Kosovës mund të ketë edhe më shumë tifozë të pranishëm.
Vendimi final pritet të mirret së shpejti nga ana e drejtuesve të Ballkanit, që ende shpresojnë në një kualifikim të mundshëm në fazën e dytë, atë të eliminimit, duke pasur parasysh se për momentin ndajnë pozitën e dytë në grup bashkë me kazakët e Astanës, që të dyja skuadrat me nga 4 pikë, derisa Viktoria Plzen është e sigurtë në pozitën e parë me 12 pikë. (infOSport.mk)