Struga Trim Lum ka regjistruar fitore 4:0 në ndeshjen e mbetur të javës së pestë në elitën e futbollit vendor. Që të gjithë 4 golat skuadra kampione në fuqi i realizoi gjatë pjesës së dytë, pavarësisht se edhe në pjesën e parë kjo skuadër krijoi 4-5 raste të mira për gol, shkruan “infOSport.mk”.
Kështu pjesën e dytë skuadra strugane e morri shumë më seriozisht, duke rrezikuar portën dy herë brenda dy minutave të para me anë të Mentor Mazrekajt dhe Hadis Tairit.
I rradhës që u kanos, ishte Bassirou Compaore, i cili u inkuadrua në fillimin e pjesës së dytë në vend të Ard Kasamit. Një veprim ky i bukur i trajnerit Shpëtim Duro, që me inkuadrimin e sulmuesit nga Burkina Faso, bëri të qartë që skuadra e tij do të jetë më ofenzive dhe se me çdo kusht do të kërkojë golin, i cili erdhi në minutën e 56-të.
Bojku duke parë renditjen e futbollistëve kundërshtarë para golit të tyre, me mjaft shpejtësi ekzekutoi rivënien me duar, duke gjetur Shabanin, i cili mu në momentin e duhur pasoi për Ibraimin brenda zonës, që me mjaft mjeshtëri shënon për 1:0.
Ishte ky një ndër golat më të bukur të Ibraimit këtë edicion, pasi të njëjtin e realizoi me mjaft klas dhe mençuri. Ai fillimisht u lirua nga mbrojtësi Brdarovski, që më pas të dalë fitues përballë Gaçevskit, i cili thjesht nuk arriti të ndalte golin numër 6 të Ibraimit këtë edicion.
Struga Trim Lum në minutën e 74-të dyfishoi epërsinë në 2:0, falë një aksioni model.
Gjithçka nisi nga këmbët e Bojkut, i cili ndërpreu një aksion të mysafirëve që para zonës së skuadrës së tij, ndërsa pas disa kombinimeve të sakta, e gjithë kjo u finalizua me golin e Mazrekajt dhe asistin e Ibraimit aty brenda zonës.
Epërsia prej dy golash në ato momente qetësoi edhe trajnerin Shpëtim Duro, i cili vendosi që në minutën e 78-të në lojë të inkuadrojë edhe tre futbollistë të rinj. Kështu në lojë u inkuadrua treshja Georgievski, Flamur Tairi dhe Jaroviç, derisa nga loja u largua treshja sulmuese, Mazrekaj, Ibraimi dhe Radeski.
Inkuadrimi i tyre në lojë, bëri që Compaore të jetë edhe me komod në vijën sulmuese, duke pasur parasysh se tashmë ishte Tairi dhe Georgievski që mendonin për detyrat difenzive. Kështu në minutën e 79-të, falë kombinimit të dyfishtë mes Compaore dhe Jaroviç, shumë pak mungonte që Flamur Tairi të shënonte edhe golin e tretë në rrjetën e Gaçevskit, i cili në këtë rast u tregua syçel.
Megjithatë, Gaçevski u dorëzua në aksionin e rradhës përballë treshes së njëjtë, Compaore-Jaroviç-Tairi, me këtë të fundit që arriti të shënojë falë zgjuarsisë dhe përcjelljes së aksionit, kur goditjen e Jaroviç, portieri mysafir arriti që ta ndalojë thuajse në vijën fatale, mirëpo jo edhe goditjen përfundimtare të Flamur Tairit, i cili në këtë mënyrë rikthehet tek goli pas dy viteve e gjysmë.
Rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Struga Trim Lum 4, Vardari 0, e vendosi rezervisti tjetër, Senad Jaroviç, në minutën e tretë të kohës shtesë, sërish falë një aksioni të bukur dhe të rrjedhshëm.
Falë kësaj fitore Struga Trim Lum tashmë numëron 24 pikë, vetëm një më pak se dy skuadrat kryesuese FC Shkupi dhe Shkëndija, me të cilën skuadër kampionët në fuqi të vendit do të takohen të dielën sërish në Strugë. (infOSport.mk)