Aleksa Marushiç flet për golat e tij dhe ndeshjen e Kupës kundër Struga Trim Lum

Aleksa Marushiç, jo shumë i eksponuar në mediat vendore, edhe përkundër golave të shënuar në Ligën e Parë, ka folur në prag të takimit të 1/8 së finales të Kupës së Maqedonisë, që skuadra e tij, Voska Sport do ta zhvillojë të mërkurën ndaj kampionëve të Struga Trim Lum, transmeton “infOSport.mk”.

I njëjti është i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij takimi, për më tepër që luhet vetëm një ndeshje. Ai thotë se nëse ekipi respekton instrukcionet e trajnerit, atëherë bashkë me përkrahjen e tifozëve kanë mundësi për të befasuar skuadrën kampione të vendit.

“Luhet vetëm një ndeshje, të cilën do ta zhvillojmë në terren vendas. Nëse respektojmë instrukcionet nga dhomat e xhveshjes dhe nëse kemi përkrahjen e tifozëve nga tribunat, mendoj se mund ti befasojmë kampionët e Struga Trim Lum.” – u shpreh fillimisht Aleksa Marushiç, i cili duke u treguar modest, tha se e kënaqin golat e deritanishëm, mirëpo në plan të parë ka arritjet e klubit.

“Jam i kënaqur me arritjet e mia të deritanishme, ndërsa me të njëjtin ritëm dua të vazhdoj që në ndeshjen e rradhës, atë kundër Struga Trim Lum. Nuk merrem shumë rreth arritjeve të mia personale, pasi në plan të parë për mua është ekipi. Ashtu që mbetet të shihet nëse do shënojë ndaj kampionëve nesër.” – përfundoi intervistën e tij, malazezi Aleksa Marushiç, i cili në 11-të ndeshje kampionale ka  shënuar plotë 10 gola, duke udhëhequr bindshëm listën e golashënuesve para dyshes së Struga Trim Lum, Besart Ibraimi-Marjan Radeski.

Ndeshja e nesërme kundër Struga Trim Lum do të jetë e para për Marushiç që do ta zhvillojë në kuadër të Kupës, pasi i njëjti ishte lënë për të pushuar në ndeshjen e raundit të parë kundër Karbincit, në të cilën ndeshje, Voska Sport kishte shënuar fitore 10:0.

Leave a Reply