Maqedonia humb nga Ukraina dhe përshëndetet nga Euro 2024, aty ku me shumë gjasa do të luaj Shqipëria

Përfaqësuesja A e Maqedonisë në futboll humbi me rezultat 2:0 nga kombëtarja e Ukrainës, në arenën “Epet” të Pragës, në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian 2024.

Maqedonia luajti guximshëm dhe në mënyrë luftarake, me një lojë të hapur ndaj një kundërshtari të fortë, por nuk pati fat, sidomos në fundin e ndeshjes.

Kombëtarja e Ukrainës arriti të shfrytëzojë mundësitë e saj dhe arriti të festojë një fitore shumë të rëndësishme në luftën për vendin e dytë në grupin kualifikues “C”.

Ukraina u kanos e para, edhe atë përmes Dovbikut, mirëpo Stole Dimitrievski intervenoi në mënyrë të shkëlqyer.

Maqedonia përmes Agon Elezit në minutën e 14-të, u kanos për herë të parë në ndeshje, mirëpo pa sukses.

Ukrainasit u kundërpërgjigjën me anë të Mudrik, mirëpo edhe njëherë tjetër Stole Dimitrievski u pozicionua mirë, duke ndërhyrë me sukses.

Miovski në minutën e 22-të kishte mundësinë më të mirë për të shënuar në rrjetën e ukrainasve, kur u gjend i vetëm përballë portierit kundërshtar, por nuk arriti të shënonte.

Këtë më së miri e shfrytëzuan kundërshtarët që në minutën e 30-të me një gjuajtje nga distanca me anë të Sudakov kaloi në epërsi Ukrainën prej 1:0.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa në pjesën e dytë të parët që u kanosën ishin futbollistët e përfaqësueses së vendit tonë, edhe atë në minutën e 53-të me anë të Çurlinov. Ky i fundit u gjend në një situatë të shkëlqyer për të shënuar, por portieri ukrainas edhe një herë tjetër reagoi mjaft mirë, duke ruajtur portën të paprekur.

Megjithatë në anën tjetër, Ukraina në minuutën e 5-të shtesë të takimit, gjeti edhe golin e dytë me anë të Karavaev, i cili njëherit vendosi rezultatin përfundimtarë, Ukraina 2, Maqedonia 0.

Për Ukrainën ishte kjo fitorja e tretë në kuadër të grupit “C”, aty ku vazhdon të kryesojë Anglia me 13 pikë, 3 më shumë se Italia e vendit të dytë që më vonë gjatë ditës mundi Maltën me shifrat 4:0, ndërsa po 10 pikë numëron edhe Ukraina, që ka një ndeshje më shumë se dy skuadrat e para në grup. (infOSport.mk)

Leave a Reply