Ilirida, apo më saktësisht futbollistët shqiptarë me origjinë nga Maqedonia, Taulant Seferi dhe Jasir Asani, nderuan Shqipërinë, duke shënuar të tre golat në takimin shumë të rëndësishëm për Europianin e vitit 2024 kundër Çekisë, njofton “infOSport.mk”.
3:0 doli të jetë rezultati përfundimtarë i takimit, me golin e parë që realizoi Jasir Asani, edhe atë vetëm pas 9 minutave lojë, ndërsa pjesa e dytë kaloi në shenjën e kumanovarit, Taulant Seferi, i cili realizoi dy golat tjerë, duke bërë që Shqipëria tashmë edhe realisht të ëndërrojë Europianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani.
E majta vrastare e Jasir Asanit dha rezultat edhe sonte, duke bërë që i gjithë stadiumi “Air Albania” të shpërthejë në festë.
Pikërisht ky gol ishte ai që i dha krahë skuadërs “kuqezi”, që shkëlqeu edhe në vazhdim të takimit. Pas disa rasteve të parealizuara, rradha i erdhi kumanovarit, Taulant Seferi, që me dy golat e tij, përveç që nderoi gjithë tifozët shqiptarë të pranishëm në stadium, por edhe përballë ekraneve televizive, ai nderoi në veçanti familjarët e tij, që në numër të madh kishin udhëtuar drejt Tiranës në përkrahje të tij.
Fitorja e sontme mund të ishte edhe më e thellë, në rast se në minutën e 82-të, nuk do të anulohej goli i Arbnor Mujës. Mirëpo edhe përkundër kësaj, kjo fitore rezulton të jetë më e thella në këtë cikël eliminatorë.
Pas 6 xhirove të kaluara, Shqipëria kryeson renditjen me 13 pikë, 5 më shumë se Polonia e vendit të dytë, ndërsa Çekia, tashmë renditet në pozitën e tretë me 8 pikë të tubuara, po aq sa ka edhe Moldavia në pozitën e katërt. (infOSport.mk)