Aleksa Marushiç edhe njëherë tjetër doli të jetë figura kryesore te skuadra e Voska Sport, duke shënuar dy golat e fitores përballë Makedonija GJ.P.
Ishte ky takimi i vlefshëm për javën e 10-të në Ligën e Parë, në të cilën skuadra shqiptare nga Ohri në fund shënoi fitore 2:1, duke ndërprerë kështu serinë prej 4 disfatave të njëpasnjëshme, transmeton “infOSport.mk”.
Ndeshja nisi me matjen e forcave nga ana e të dyja skuadrave, edhe pse realisht vërehej një dominim i lehtë nga ana e skuadrës vendase, që në rastin e parë më konkret arritën që të shënojnë golin e avantazhit, që erdhi me autorë, Aleksa Marushiç.
Gjithçka kishte nisur nga krahu i majtë me këmbëshpejtin Alban Shabani, që në afërsi kombinoi me Marushiç, ndërsa ky i fundit mjaft syçel gjeti në krahun e djathtë Boban Georgiev, i cili me mjaft qetësi dhe elegancë gjeti para 5-metërshit të portës kundërshtare qendërsulmuesin malazez, i cili pa shumë probleme shënoi në portën mysafire për rezultat 1:0.
Megjithatë gëzimi i futbollistëve të Voska Sport zgjati shumë pak kohë, pasi vetëm 3 minuuta më vonë, mysafirët përmes një aksioni të shpejtë nga krahu i djathtë arritën që përmes Filip Aleksovskit të barazojnë shifrat në 1:1.
Ishte ky njëherit rezultati i pjesës së parë, derisa pjesa e dytë nisi me një ndryshim në rradhët e Voska Sport, me Alen Jasharovskin që u inkuadrua në lojë, së bashku edhe me Filip Todoroskin.
Pikërisht përmes Jasharovskit vendasit regjistruan tentativën e parë në këtë pjesë, mirëpo goditja e tij me të majtën nga brendia e zonës përfundoi në duart e portierit Stevkovski.
Ky i fundit megjithatë kapituloi në minutën e 73-të sërish përballë Marushiç, që këtë herë shënoi nga pika e bardhë, të cilën e kishte përfituar Boban Georgiev.
Nuk vonoi shumë dhe vetëm dy minuta më pas, Aleksandar Stavrev akordoi një penalti të dyshimtë për miqtë nga Shkupi.
Përkundër protestave të lojtarëve vendas, vendimi i arbitrit nuk ndryshoi, mirëpo “drejtësia foli vetë”, kur Filip Mishevski gaboi në tentativën për të shënuar nga pika e bardhë.
Kapiteni i mysafirëve goditi vetëm traverzën, duke bërë që ndeshja të mbyllet me fitoren e skuadrës së Voska Sport, pavarësisht se në minutat shtesë të takimit, portieri i mysafirëve Stevkovski, morri gjithë vëmendjen, duke tentuar në dy raste për të barazuar rezultatin. Fillimisht goditja e tij me kokë u ndal nga mbrojtësi i vendasve, Medin Bajrami, derisa në tentativën e dytë, i njëjti tentoi që të shënojë me gërshërë, mirëpo pa finalizimin e duhur, pasi topi përfundoi vetëm jashtë kuadrantit.
Ishte kjo fitorja e 3-të sezonale për skuadrën e Voska Sport, që vazhdon të mbetet në pozitën e 10-të, mirëpo tashmë me 10 pikë, vetëm një më pak se Makedonija GJ.P e vendit të 9-të. (infOSport.mk)