Struga Trim Lum ka regjistruar fitoren e katërt të njëpasnjëshme në ndeshjet kampionale, duke u ngjitur në pozitën e dytë, menjëherë pas Shkëndijës.
Të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro, sot në Ohër zhvilluan takimin e mbetur të javës së katërt kundër Voska Sport, ndaj së cilës skuadër shënuan fitore minimale 1:0.
Golin e vetëm në këtë takim e realizoi sulmuesi Marjan Radeski, edhe atë në minutën e 86-të, ndërsa kjo fitore ka gëzuar edhe vetë trajnerin Duro, i cili beson se inkuadrimi i Mazrekajt në lojë i dha më shumë larmi sulmit, pasi skuadra ishte shumë aktive në 20 minutat e fundit të takimit.
“Çdo ndeshje ka vështirësitë e veta. Ashtu ishte edhe sot kundër Voska Sport, ndaj së cilës skuadër arritëm fitoren. Fitore e merituar dhe shumë e rëndesishme do të kisha thënë. Në 20 minutat e fundit kërkuam me insistim golin, i cili erdhi sidomos pas ndërimeve dhe aktivizimit të Mentor Mazrekajt, i cili i dha më shumë larmi sulmit” – u shpreh Shpëtim Duro pas përfundimit të ndeshjes.
Fitorja e sotme ndaj fqinjëve të Voska Sport ishte e 5-ta gjithsej në kampionat nga gjithsej 6 ndeshje, me ç’rast tashmë me 15 pikë, një më pak se lideri Shkëndija, Struga Trim Lum renditet në pozitën e dytë.