Sezoni i ri, me Besart Ibraimin që nuk harron zanatin e vjetër, shënimin e golave. Ibraimi shkëlqeu që në edicionin debutues me fanellën e Struga Trim Lum, duke shënuar 19 gola në 29 ndeshje, ndërsa me po të njëjtin ritëm, ndoshta edhe më të mirë e ka nisur sezonin e ri, shkruan “infOSport.mk”.
10 gola në 11 ndeshje për bomberin kërçovarë, i cili me golin e shënuar fillimisht ndaj AP Brera dhe së fundmi dy golat e shënuar ndaj Tikveshit, arriti që të shënojë në çdo garë të këtij edicioni.
Golin e parë Ibraimi e realizoi në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Ligës së Kampionëve kundër Zhalgiris, që më pas plotë 6 gola të shënojë në 6 ndeshjet kualifikuese të Ligës së Konferencës, aty ku ka dhënë edhe një asistim.
Sa i përket kampionatit vendor, Ibra në tre ndeshje ka realizuar po aq gola. Vlen të theksohet gjithashtu, se Ibraimi në ndeshjen e parë kishte bërë edhe një asist në ndeshjen hapëse të sezonit të ri kundër Gostivarit, në të cilën skuadra strugane kishte shënuar fitore 2:0.
Vërtetë statistika të frikshme të Ibraimit, i cili po dëshmon se vitet janë vetëm numra dhe se janë golat ato që mbahen mend në fund të fundit.
10 gola dhe 2 asitime në 11 ndeshje….vallë sa mund të arrijë shifra e golave të shënuar këtë edicion nga absolutisht golashënuesi më i mirë që ndonjëherë ka luajtur në futbollin tonë vendor. (infOSport.mk)