Pas dëmtimit të dyshes së fundit mbrojtëse te Dinamo, Rustem Hoxhës dhe Behiratches, trajneri Italian i “bluve” nga Tirana, Luixhi Di Biaxhio urgjentisht ka kërkuar një qendërmbrojtës, duke pasur parasysh se tashmë i mungojnë edhe alternativat në stol për të zëvendësuar dy futbollistët e lartëpërmendur.
Në listën e drejtorit sportiv, Haris Fakiç janë dy lojtarë, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të ditur. Ndërkohë jo zyrtarisht “infOSport.mk”, mëson se një nga emrat e lakuar, është ai i Egzon Bejtullait, i cili ende figuron si lojtar i lirë, pas largimit nga Shkëndija e Tetovës.
Bejtullai është një futbollistë i kalibrit të lartë, pikërisht ashtu siç e kërkon edhe vetë trajneri Di Biaxhio, i cili kërkon që të kompletojë skuadrën sa më shpejtë për ndeshjet në vazhdim.
Bejtullai për një periudhë të gjatë luante rolin e kapitenit dhe zëvendës kapitenit te Shkëndija, me të cilën skuadër kishte fituar 3 tituj kampion dhe 2 trofe të Kupës së Maqedonisë, ndërsa gjithashtu kishte zhvilluar plotë 304 paraqitje.
Me Bejtullain, strategu Italian i Dinamos do të zgjidhte një nga çështjet kryesore në repartin e mbrojtjes, aty ku skuadra çaloi në dy ndeshjet e parë të sezonit të ri, duke pësuar dy disfata, fillimisht nga Tirana (2:3) dhe më pas edhe nga Skënderbeu (0:1). (infOSport.mk)