Skuadra kampione e Kosovës, Ballkani, për të dytin vit me rradhë do të luaj në grupet e Ligës së Konferencës, ndërsa dy skuadrat tjera shqiptare, Struga Trim Lum, kampione e Maqedonisë së Veriut dhe Partizani, kampion i Shqipërisë, nuk i’a arritën të kalojnë fazën “play-off”, shkruan “infOSport.mk”.
Skuadra e Ballkanit, falë fitores 4:1 në ndeshjen e parë në Prishtinë kundër Bate Borisov, arriti që të sigurojë një vend për në grupet e Ligës së Konferencës, pavarësisht disfatës minimale sonte në fushë asnjënëse.
Struga Trim Lum përkundër dëshirës së madhe për të përmbysur rezultatin 1:0 nga ndeshja e parë në Ohër kundër Breidablik, në fund pësoi edhe një disfatë identike, këtë herë në tokën islandeze, pas një goli të hershëm që në minutën e tretë, e që realisht humbi moralin e djemve të Shpëtim Duros, që edhe sot luajtën për shërbimet e Marjan Radeskit, partnerit të Ibraimit në repartin e sulmit, aty ku sot mungonin topat për bomberin kërçovarë, që ishte markuar aq mirë, sa që nuk mundi të vie në shprehje.
Eliminim i dhimbshëm edhe për Partizanin, skuadër kjo që luajti një pjesë të parë shumë të mirë, kur edhe avansoi ndaj Astanës, mirëpo u penalizua që në startin e pjesës së dytë, kur kazakët barazuan shifrat në 1:1. Ky rezultat mbeti i pandryshuar deri në fund të takimit, ndërsa falë fitores minimale 1:0 në ndeshjen e parë, në fund Astana ishte skuadra që siguroi grupet e Ligës së Konferencës.
Shpresojmë që Partizani dhe Struga Trim Lum një gjë të tillë të bëjnë edicionin e ardhshëm, ndërsa Ballkanit të Ilir Dajës i urojmë shumë më shumë suksese këtë edicion, kur dihet se tashmë kanë përvojën e duhur në këto gara. (infOSport.mk)