Bruno Presillski është një emër i njohur për opinionin sportiv në vend, sidomos atë shqiptarë, pasi i njëjti gjatë karrierës së tij të bujshme titujt më të rëndësishëm i kishte fituar me ekipet shqiptare, Slloga Jugomagnat, aktualisht FC Shkupi dhe Bashkimi, shkruan “infOSport.mk”.
Megjithatë i njëjti mbahet mend edhe si autori i golit të parë në historinë e Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë. Ai si pjesë e Pelisterit nga Manastiri, nga është edhe me origjinë, kishte shënuar golin e parë në kuadër të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë. Një gjë të tillë kishte bërë saktë para 31 viteve, me 23 gusht të vitit 1992, kur kishte hapur serinë e golave në atë fitore të madhe të Pelisterit 5:0 ndaj Rudarit nga Probishtipi.
Kujtojmë, Presillski si pjesë e Slloga Jugomagnatit, aktualisht FC Shkupit, kishte fituar tre tituj kampion dhe një trofe të Kupës, gjë të cilën kishte bërë edhe me KF Bashkimin në vitin 2005, kur kishin mundur Maxhari Solidarnostin me shifrat 2:1. Pikërisht në atë ndeshje finale të Kupës, Presillski kishte shënuar një nga golat në fitoren historike të skuadrës kumanovare, që aktualisht garon në Ligën e Dytë, aty ku e nisi shumë mbarë, me dy fitore në dy xhirot e para. (infOSport.mk)