Struga Trim Lum vazhdon të befasojë me rezultatet pozitive në Europë, aty ku është para aktit të fundit final, inkuadrimit në grupet e Ligës së Konferencës. Vetëm dy ndeshje janë në pyetje për të arritur një sukses të tillë të madh, ndërsa trajneri Duro parashikon përballje të vështira në dy ndeshje kundër skuadrës islandeze të Breidablik.
“Është një arritje e jashtëzakonshme për Struga Trim Lum që luan në fazën “play-off”, e paparashikueshme do të kisha thënë, por plotësisht e merituar nga ajo që ka dhënë skuadra në gjithë këto 6 ndeshje europiane. Tashmë jemi në një fazë, do të thoja edhe më të rëndësishme, kemi dy ndeshje për të kaluar në fazën e grupeve, pra është një fjalë popullore, që oreksi vjen duke ngrënë. Do mundohemi të japim maksimumin, të përgatisim këto dy ndeshje, për të luajtur, për të interpretuar dhe shpresojmë të kalojmë më tej” – u shpreh fillimisht trajneri Shpëtim Duro.
“Unë e kam thënë që skuadra më ka befasuar, sepse ne pothuajse të gjitha 6 ndeshjet europiane i kemi zhvilluar me të njëjtn organikë, me të njëjtin formacion, dhe skuadra jonë, ju e keni parë, ka luajtur jashtëzakonishtë mirë, ky formacion i ka përballuar gjitha ndeshjet, me përjashtim të kushtëzuar në 30 minuta të ndeshjes në Luksemburg, ku juve e patë që neve ishim 100 minuta me inferioritet numerik dhe është normale të ishte ajo situatë tensioni. Mirëpo edhe atë ndeshje e përballuam mirë dhe në fund u kualifikuam” – deklaroi Duro, i cili është pozitivisht i befasuar me skuadrën.
“Ndeshjet kanë qenë jashtëzakonisht të mira, shtuar këtu edhe dy ndeshjet e kampionatit, kemi bërë një rotacion shumë të madh në ndeshjen me AP Brera Strumica, sepse ngarkesat kanë qenë të jashtëzakonshme, plus ndeshjeve, këtu kanë qenë edhe udhëtimet e gjata dhe jam i befasuar nga paraqitja e skuadrës” – thotë Duro, i cili ka bërë edhe analizën e duhur të kundërshtarit.
“Patjetër, kjo është detyra ime kryesore, që së bashku me ekipin që kam, për të përgatitur takimin. Këto ditë, pavarësisht se kemi pasur ngarkesë edhe me ndeshjet në kampionat, jemi marrë me studimin e kundërshtarit. Çdo kundërshtarë, është i vështirë, është skuadër, jo që ka diferenca me ne, skuadër që luajnë futboll fizik, skuadër agresive, mos harrojmë se kanë edhe tre lojtarë që luajnë në përfaqësuesen e Islandës, por të shikojmë se si do të interpretojë skuadra jonë. Kam besim shumë tek skuadra, por jam i bindur që kualifikimi do të jetë i hapur në të dyja ndeshjet” – përfundoi Duro.