Struga Trim Lum ndalet në kampionatin vendor (VIDEO)

Struga Trim Lum ka pësuar disfatë 2:1 në ndeshjen e fundit të xhiros së tretë, duke u mundur para tifozëve të saj nga skuadra e AP Brera Strumica, njofton “infOSport.mk”.

Tek rezultati përfundimtarë i këtij takimi ndikuan edhe zëvendësimet e shumta, për të cilat ishte vendosur trajneri Shpëtim Duro që nga fillimi i takimit, e ku pjesa e parë rezultoi të jetë shumë e dobët për ekipin e tij.

Edhe pse Struga Trim Lum u kanos e para me anë të Jaroviç, ishin mysafirët që shënuan golin e parë të takimit dhe të vetmin gjatë 45 minutave të para, kur Vane Krstevski në minutën e 27-të shënoi në rrjetën e Mirseloskit.

Pjesa e dytë nisi me shumë zëvendësime në rradhët e skuadrës strugane, e që dhanë rezultat shumë shpejtë, sidomos inkuadrimi i Besart Ibraimit, i cili brenda 10 minutave të para në këtë pjesë kishte 4 tentativa për të shënuar, 3 prej të cilëve nga distanca dhe një nga afërsia në minutën e 53-të, kur edhe shënoi golin e barazimit.

Nuk vonoi shumë dhe vetëm dy minuta më pas, Ibraimi sërish doli në skenë. Këtë herë pas një aksioni të shpejtë nga krahu i majtë, bëri gjithçka mirë në zonën kundërshtare, duke përfituar edhe hapësirën e duhur për të goditur, këtë herë me të majtën e tij, mirëpo Alçevski devijoi topin në rivënie nga këndi.

Mysafirët në aksionin e rradhës, në tentativën e tyre të parë në pjesën e dytë arritën të shënojnë edhe golin e dytë në rrjetën e Mirseloskit. Italiani Ribaudo harkoi nga rivënia e këndit, ndërsa aty brenda zonës kapiteni Vrdoljak shënoi për 1:2.

E gjithë kjo situatë ndodhi në minutën e 71-të, ndërsa vetëm 3 minuta më pas në anën tjetër Ibraimi nga gjuajtja e lirë vuri në mjaft vështirësi portierin kundërshtarë, i cili grushtoi topin, duke shpëtuar rrjetën e tij.

Ibraimi edhe në minutën e 81-të ishte shumë pranë golit, mirëpo goditja e tij sërish u ndal nga portieri mysafir. Në këtë rast, Ibraimi kishte edhe zgjidhje tjera, pasi shumë pranë tij me portën bosh, ishte Bekim Kamberi.

Besart Ibraimi deri në fund të takimit tentoi edhe dy herë të tjera të mposhtë portierin Alçevski, njëjtë sikurse edhe Krivanjeva, tentativa e të cilit u devijua në rivënie nga këndi, pas ekzekutimit të së cilës, arbitri kryesor tregoi edhe fundin e takimit.

Në fund disfatë për Struga Trim Lum, futbollistët e së cilës skuadër me trup ndoshta ishin në fushën e stadiumit në Strugë, por me mendje gjithnjë te ndeshja historike europiane, ajo kundër Breidablik, e vlefshme për fazën “play-off” të Ligës së Konferencës.

Kujtojmë, këtë ndeshje Struga Trim Lum do ta zhvillojë me 24 gusht me fillim në ora 17:00 në stadiumin e qytetit në Ohër. (infOSport.mk)

Leave a Reply