Struga Trim Lum të enjten e 24 gushtit në qytetin e bukur të Ohrit do ta zhvillojë ndeshjen e parë të fazës “play-off” në kuadër të Ligës së Konferencës. Pa dyshim është ky një moment historik për kampionët e vendit tonë që janë vetëm një hap larg fazës së grupeve të Ligës së Konferencës.
Skuadra e Shpëtim Duros synon që dhe ndaj kampionëve të Islandës të arrijë të bëjë mirë, për të regijistruar momentin më të artë të klubit strugan.
Kundërshtari nuk mund të konsiderohet nga më të vështirët, ndaj te Struga Trim Lum kanë besim se mund të arrijnë ta kalojnë dhe këtë pengesë të fundit, për të shkruar historinë edhe njëherë tjetër këtë edicion në Europë.
Breidablik është një skuadër me lojtarë kryesisht vendas, ndërkohë që vlera në “Transfermarkt” është më e ulët se e Struga Trim Lum, pasi llogaritet diçka më pak se 3 milionë euro.
Ndonëse një ekip pa shumë histori, në edicionet e fundit ka bërë mirë në Europë, pasi ka arritur që të shkojë dy herë radhazi deri në turin e tretë të Ligës së Konferencës, ndërkohë është hera e parë që shkojnë edhe deri në fazën “play-off”.
Përballja e parë, do të luhet në Ohër, në stadiumin “Burimet e Biljanës”, dhe do të vijë live dhe ekskluzivisht në ekranin e “SuperSport-Digitalb”, me shpresën se në Europë skuadra e Shpëtim Duros do të bëjë të flitet shqip.