Mesfushori belg, Radja Naingolan ka vazhduar bashkëpunimin me Romën deri në vitin 2021. Emri i futbollistit 29-vjeçar është përfolur për një kalim të mundshëm tek Interi, Çelzi dhe Mançester Junajtedi, mirëpo gjithë këto ranë në ujë pas nënshkrimit të ri të Naingolan me Romën.
“Roma konfirmon se mesfushori Radja Nainggolan ka nënshkruar një kontratë të re katërvjeçare me klubin,” shkruhej në faqen zyrtare të klubit.
“Mendoj se gjithmonë kam demonstruar se rinovimi ka qenë dëshira ime. Jam shumë i lumtur që do vazhdoj aventurën time te Roma” – u shpreh Naingolan pasi nënshkroi kontratën e re me “romakët”.
Naingolan Romës iu bashkua në vitin 2014 dhe kontrata e mëparshme skadonte në vitin 2020.
“Jemi të lumtur që Radja u lidh me klubin tonë për një plan afatgjatë dhe që do jetë pjesë e jona në vitet e tij më të mira të karrierës. Sezonin e kaluar, ai ishte një nga mesfushorët më të mirë në botë dhe nuk është surprizë që kërkohej nga shumë klube. Por asnjëherë nuk dyshuam se ai do të shkonte diku tjetër. Ai e do Romën dhe ne jemi të lumtur që do e kemi këtu,” – tha presidenti i klubit, Xhejms Palota.