Struga Trim Lum e ka mbyllur me epërsi 1:0 pjesën e parë të takimit kthyes në kuadër të turit të tretë eliminatorë të Ligës së Konferencës kundër Sëift Hesperange nga Luksemburgu, njofton “infOSport.mk”.
Si zakonisht goli mban firmën e Besart Ibraimit, i cili në minutën e 17-të shtangu ekipin vendas, që në ato momente po i gëzohej kartonit të kuq të sulmuesit tjetër të Struga Trim Lum, Marjan Radeski.
Ky i fundit u ndëshkua me të kuq vetëm dy minuta para golit të Ibraimit, i cili në minutën e 22-të shumë lehtë mund të ndodhte që të shënonte edhe golin e dytë, mirëpo edhe pse i vetëm para portierit kundërshtarë, komplikoi gjërat, duke përfituar në fund vetëm rivënie nga këndi, pasi njëri nga mbrojtësit e Hesperange nga vija e golit shpëtoi ekipin e tij, duke devijuar topin me kokë në rivënie nga këndi.
Edhe përkundër disavantazhit numerik, ishte Struga Trim Lum që sërish kanosej seriozisht, këtë herë me anë të kapitenit Bunjamin Shabani, i cili njëjtë sikurse Ibraimi doli i vetëm para portierit kundërshtarë, mirëpo duke mos mundur ta mposht. Kapiteni i struganëve pretendoi se është shtyrë nga mbrapa nga njëri prej futbollistëve vendas në momentin e goditjes aty brenda zonës, mirëpo të njëjtin mendim nuk ndante edhe arbitri kryesor, i cili madje e ndëshkoi me të verdhë Shabanin.
Epërsia e një goli dhe dy të tjerëve nga ndeshja e parë në Shkup, në banë të besojmë fuqishëm te kualifikimi i Struga Trim Lum për në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës, që sigurisht do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm për skuadrën strugane, që në këtë mënyrë do të vazhdonte të shkruante historinë më të lavdishme të klubit, të themeluar vetëm 8 vite më parë. (infOSport.mk)