Fitorja 3:1 ndaj Swift Hesperange në ndeshjen e parë të turit të tretë eliminatorë të Ligës së Konferëncës, ka lënë të kënaqur trajnerin Shpëtim Duro, por edhe sulmuesin kryesor të skuadrës tonë, Besart Ibraimi, që ishte figura kryesore e këtij takimi.
Ibraimi i shënoi që të tre golat, duke përsëritur suksesin paraprak të Marjan Radeskit, i cili një gjë të tillë kishte bërë në ndeshjen paraprake kundër Buduçnost.
“Edhe për sa i përket lojës por edhe rezultatit në takimin e sotshëm është një rezultat plotësisht i merituar, pjesa e parë normalisht ka qenë perfekte, kemi pasur kontroll të plotë të ndeshjes, kemi shënuar dy gola, por mund të shënonim edhe golin e tretë. Ndërkohë sa i përket pjesës së dytë, fati keq që pranuam gol dhe sigurisht që kishte disa momente që skuadra hyri në tension, pastaj me disa lëvizje, me disa ndryshime arritëm të menaxhojmë mirë situatën, shënuam edhe golin e tretë. Jam i mendimit që ishte fitore jashtëzakonisht e bukur ndaj një skuadre që ka pasur rezultate shumë pozitive dhe ka qenë në këto momente shumë në formë” – u shpreh Shpëtim Duro.
“Po normalisht ndjehem i lumtur për 3 golat e sotëm, por më e rëndësishme është që golat e mi i shërbejnë ekipit dhe kjo më kënaq mua edhe më shumë. Sa i përket lojës, normalisht ashtu siç potencoi edhe profesori, e dominuam në tërësi pjesën e parë, pjesa e dytë nuk filloi ashtu si paramenduam ne, por besoj që e menaxhuam prapë. Shënuam golin e tretë, ndërsa përveç kësaj patëm edhe raste të shumta, ashtu që mendoj se në fund arritëm një fitore me shumë merita” – deklaroi sulmuesi Besart Ibraimi, i cili në 5 ndeshje europiane me fanellën e skuadrës tonë këtë edicion ka shënuar 6 gola.
Ndryshe Ibraimi në ndeshjet europiane, numëron plotë 24 gola, duke mbajtur bindshëm epitetin e golashënuesit më të mirë nga vendi.