Struga e nis si kampion, Shkëndija mezi mundi Voskën në Ohër

Struga Trim Lum e ka nisur me këmbë të mbarë edhe sezonin e ri në elitën e futbollit vendor, duke shënuar fitore 2:0 në xhiron e parë përballë Gostivarit. Të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro shënuan nga një gol në secilën pjesë, pavarësisht se kundërshtari gjatë gjithë 90 minutave aprovoi një lojë të mbyllur dhe me shumë ndërperje.

Golin e parë për struganët e realizoi Marjan Radeski në minutën e 22-të, ndërsa një sulmues tjetër, Senad Jaroviç shënoi golin e dytë fare në fund, duke i siguruar tre pikëshin e parë Struga Trim Lum-it në edicionin e ri.

Me fitore këtë kampanjë e nisi edhe Shkëndija, skuadër kjo që më vështirë se sa pritej mundi debutuesit e Voska Sport në Ohër me një gol të shënuar fare në fund të takimit. Autorë i golit për “kuqezinjtë”, ishte boshnjaku Almir Aganspahiç.

Bregallnica mundi 2:1 Sileksin, në një ndeshje ku të tre golat u shënuan që në pjesën e parë. Dimitrijevski dhe xhamajkani Anderson shënuan për ekipin “blu” nga Shtipi, derisa golin e vetëm për skuadrën nga Kratova e realizoi Milosavljeviç.

Eurogoli i 21-vjeçarit Jankullov i siguroi fitoren minimale 1:0 skuadrës së Brera Strumica përballë Vardarit, ndërkohë me po të njëjtin rezultat, Tikveshi falë golit të shënuar nga Ivan Ivanovski mundi Makedonija GJ.P.

Xhiroja e parë e sezonit të ri 2023/24 mbyllet të hënën me ndeshjen Rabotniçki-FC Shkupi, që luhet në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari të Shkupit, me fillim në ora 17:00. (infOSport.mk)

LPFMV, Sezoni 2023/24 – Java 1

Struga Trim Lum 2:0 Gostivari
Voska Sport 0:1 Shkëndija
Bregallnica 2:1 Sileksi
Tikveshi 1:0 Makedonija GJ.P
Brera 1:0 Vardari

Leave a Reply