Këtë fundjavë starton sezoni i ri 2023/24 në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, me Struga Trim Lum që futet me epitetin e kampionit, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e Shpëtim Duros që njëkohësisht me mjaft sukses po na prezanton edhe në Europë, ndeshjen e parë të sezonit të ri do ta zhvillojë në terren vendas përballë Gostivarit. Kjo ndeshje në program është të dielën, kur do të zhvillohen edhe 4 përballjet tjera, derisa ndeshja midis dy skuadrave shkupjane, Rabotniçkit dhe FC Shkupit në arenën “Todor Proeski” do të zhvillohet të hënën.
Deri te ky ndryshim ka ardhur me kërkesë të skuadrës nga Çairi, që sot në Sofje do të zhvillojë ndeshjen e kthimit kundër Levskit, e vlefshme për turin e dytë eliminatorë të Ligës së Konferencës. Duke pasur parasysh se ndeshja zhvillohet në mbrëmje, skuadra “bardheblu” në Shkup pritet të rikthehet vetëm të premtën, ashtu që atyre ju duhet pushim të paktën një ditë më shumë, për të qenë të gatshëm për ndeshjen e xhiros së parë të sezonit të ri.
Shkëndija edicionin e ri do ta nis me transfertën në Ohër ndaj debutuesve të Voska Sport, Brera në Strumicë do të mirëpret Vardarin, Bregallnica do të mirëpret Sileksin, derisa Tikveshi do të jetë nikoqir i Makedonija GJ.P.
Që të gjitha këto ndeshje, njëjtë sikurse ajo midis Struga Trim Lum dhe Gostivarit do të zhvillohen të dielën me fillim në ora 17:00. (infOSport.mk)