Tekniku Italian, Luixhi Di Biaxho edhe zyrtarisht është emëruar në postin e kryetrajnerit te skuadra shqiptare e Dinamo Tiranës. 52-vjeçari tashmë ka drejtuar edhe seancën e parë stërvitore në Carpegna (Itali), aty ku “blutë” e Tiranës janë zhvendosur ditën e sotme për të kryer edhe pjesën e dytë të fazës së përgatitjeve.
Di Biaxho ka drejtuar më parë kombëtaren italiane U21 në vitet 2013-2019 ndërsa pati edhe një përvojë në vitin 2020 me skuadrën e SPAL-it në Serie A. Në vitin 2018 ai pati një eksperiencë edhe me kombëtaren A të Italisë, si trajner i përkohshëm për miqësoret ndaj Argjentinës dhe Anglisë.
Trajneri Di Biaxho do të ketë edhe dy ndihmës në stafin e tij, ish-futbollistin e kombëtares shqiptare, Ledian Memushaj dhe trajnerin italian Fabrizio Piccareta.
Është ky hapi i parë i drejtuesve të rinj të Dinamo Tiranës, që së shpejti do të garojë me emrin e ri Dinamo City, ndërsa me siguri se pritet të ketë edhe risi tjera te kjo skuadër, që pritet të transferohet në qytetin e Durrësit.