Skuadra nënkampione e Kosovës, Drita, ka arritur një barazim të madh 0:0 në udhëtim te Viktoria Plzen në kuadër të ndeshjes së raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, njofton “infOSport.mk”.
Klubi gjilanas edhe njëherë tjetër ka bërë një paraqitje të shkëlqyeshme në garat europiane për gjatë 90 minutave, duke u rikthyer në Kosovë pa pranuar gol në arenën “Doosan Arena” të Plzenit.
Pjesa e parë dhuroi një lojë të fortë dhe agresive nga të dyja skuadrat dhe këtë e tregojnë katër kartonët e verdhë, nga dy për secilën skuadër, të dhënë nga arbitri kryesor.
Megjithatë, vendasit ishin skuadër më kërkuese dhe patën dy raste të mira shënimi, por ishte portieri Florian Smakiqi që mohoi golin dhe ekipet shkuan në pushim me rezultatin e barabartë 0:0.
Në pjesën e dytë, përsëri u zhvillua lojë e njëjtë, me vendasit që sulmuan dhe gjilanasit që mbroheshin, ndërsa morën edhe katër kartonë të verdhë.
Plzeni pati disa raste interesante për gol dhe vlen të theksohet ai i minutës së 80-të kur Jhon Mosquera goditi traversën nga një gjuajte afër penalltisë.
Deri në fund të ndeshjes, Drita arriti të mbrohet mirë dhe të marr një barazim të madh 0:0 para ndeshjes kthyese në Prishtinë, që në program është me datë 3 gusht.