Skuadra e Shkupit ka arritur të bëjë edhe një lëvizje në afatin kalimtar të verës, duke angazhuar sulmuesin Alen Jasharovskin, i cili vjen nga radhët e skuadrës së Makedonija Gjorçe Petrovit.
Bëhet fjalë për një sulmues mjaft të spikatur, i cili cilësitë e tij të larta prej golashënuesi i dëshmoi edhe sezonin e kaluar kur në 30 ndeshje të zhvilluara me fanellën e Makedonija Gjorçe Petrovit, realizoi 12 gola, duke u renditur në pozitën e tretë në listën e golashënuesve, pas Besart Ibraimit (20 gola) dhe Igor Nedeljkoviçit (12 gola). “Jam i gëzuar dhe njëherit është nder për mua që do ti mbroj ngjyrat e një klubi siç është Shkupi, ekip ky me traditë të madhe. Njëkohësisht më bëhet qejfi që do të luajë para publikut më të mirë në vendin tonë siç janë “Shvercerat”. E falënderoj kryesinë dhe stafin e trajnerëve që më dhanë besimin, derisa e imja është që të shënojë sa më shumë gola. Me numrin më të madh të futbollistëve njihemi gjatë kohë dhe nuk do të më duhet kohë që të adaptohem. Thjesht në fund shpresoj që do të arrijmë aspiratat e klubit në fund të kampionatit”, ka thënë Jasharovski për faqen zyrtare të klubit nga Çairi.
Të përkujtojmë se Jasharovski përveç që ka luajtur me Makedonija Gj.P, ishte pjesë edhe e ekipit të Rabotniçkit, Euromilkut dhe “Skopjes”. Jasharovski dhe Shkupi kanë nënshkruar kontratë një vjeçare me mundësi të vazhdimit.
Rikujotjmë më parë FC Shkupit nga Shkëndija në formë huazimi iu bashkuan Shqiprim Taipi dhe Shpend Asani, derisa arritën të transferojnë edhe një tjetër futbollistë nga rradhët e Makedonija Gj.P., Kristijan Stojkoskin.