Bunjamin Shabani nuk e pati fatin të shënojë në asnjërën nga ndeshjet kundër Zhalgiris në kuadër të turit të parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve, por pa dyshim se kapiteni i Struga Trim Lum, udhëhoqi skuadrën në mënyrën më të mirë, duke qenë një motor i pandalshëm në mesfushë, aty ku skuadra strugane kishte mbizotëruar ndaj kundërshtarit lituanez.
Tashmë ekipin e Struga Trim Lum e pret një përballje tjetër, ajo e Ligës së Konferencës kundër Buduçnostit nga Mali i Zi, ndërsa për dy përballjet e rradhës ndaj tyre, por edhe për atë eliminim të dhimbshëm nga Zhalgiris, për faqen e klubit strugan tonë ka folur vetë kapiteni Shabani.
dy përballjet me Zhalgiris….
“Mendoj se skuadra bëri paraqitje të mirë kundër Zhalgirisit në të dyja ndeshjet, ndoshta përvoja e tyre dhe fati që shënuan dy gola të shpejtë në pak minuta, edhe atë në minutat e fundit te ndeshjes, bënë që neve të ndëshkohemi, por edhe të mësojmë nga ndeshje të tilla, pasi në futboll ndonjëherë edhe momentet e vogla e vendosin ndeshjen.”
Buduçnost, kundërshtarë i rradhës….
“Tani jemi të fokusuar në ndeshjet me Buduçnostin, nuk është se e njohim shumë kundërshtarin, janë kampion të Malit të Zi. Në Europë nuk ka ndeshje të lehta, megjithatë besoj se jemi të përgatitur maksimalisht për këto dy përballje ndaj tyre, pavarësisht problemeve që kanë në skuadër me disa ndryshime që po ndodhin te ata”.
aventurë e gjatë europiane?….
“Tani i gjithë fokusi është në ndeshjet me Buduçnostin, të bëjmë më të mirën në këto dy ndeshje fillimisht dhe më pas të shpresojmë në një aventurë më të gjatë europiane”.
Ndeshjen e parë kundër Buduçnost, skuadra e Struga Trim Lum do ta zhvillojë si vendas të mërkurën e ardhshme (26 korrik) në stadiumin e qytetit të Ohrit me fillim në ora 17:00.